top of page
Search

Eshte qelbur peshku qe nga koka|OPINION

  • R.S
  • Jul 8, 2017
  • 3 min read

Eshtë qelbur peshku që nga koka. Ja pra, kështu ndodh kur cdo gjë shkon për mbrapsht dhe nuk funksionon në këtë mëmëdheun tonë Shqipëri. Në këtë shtetin tonë Sovran që sdihet se kush është sovrani , populli, apo “populli” atje lart në krye, me ato kolltukët e rehatshëm dhe palltot e ngrohta që ne ua kemi dhënë e ua kemi veshur me votën tonë “qorre”. Kaq të përulur dhe të gjunjëzuar e gjen veten qytetari i thjeshtë kur shkon të trokasë në derën e “dritës”, atje ku shpreson se do t’i jepet e drejta e merituar, në derën e pushtetit të shtetit. Tenton të trokasë po dora i dridhet, bën të ulë dorezën por e lë gjithcka në mes. Nuk merr dot guximin të kërkojë të drejtën e tij legjitime sepse i përplaset fytyrës pëllëmba e nxehtë e korrupsionit. Dhe kthehet kokëulur me hallin e madh qe i rëndon mbi supe duke menduar si ta zgjidhë. Drejtesia duhet të jetë shtylla vertebrore e cdo shoqërie demokratike e cila duhet të udhëheqë dhe drejtojë gjithcka, mirëpo, edhe kjo vertebër qenka e thyeshme nga mitmarrja, nga pushteti i kostumit që mban veshur zyrtari i institucionit të vete së drejtës. Dita ditës, gjithnjë e me shumë po e humbasim besimin te drejtësia. Dhe sigurisht kjo ndodh kur vazhdon të ekzistojë korrupsioni, kjo plagë e keqe e shoqërise sonë. Kur vazhdon të ekzistojë paaftësia e personave që vihen në poste drejtuese jo me meritokraci për atë vend pune por me një telefonatë, me një mik dhe me “ca lek”. Me “ca lek” që ushqejnë dite për ditë barkun e pangopur të boas-korrupsionit. Me të cilat nxisin vazhdimisht padrejtësitë që iu behen atyre, njerëzve të thjeshtë, njerëzve të urtë e fjalëpake që mbesin nëpër dyert e zyrave e qajnë hallet me shoqi-shoq për të drejtat e tyre të mohuara. Kjo është e dhimbshme të dish si buka që hahet atë që të takon, e të mos e marrësh dot, sepse ta ka përlare tjetri me “ca lek”. Sepse e ka zënë ujin që te burimi me digen e mitit. E del me duar te pastra si zotni dhe ti, ti njeriu i vuajtur vazhdon të vuash e të hiqesh zvarrë duke lënguar, i hedhur poshtë e i mohuar. Mesa duket këtu tek ne, ajo zonja e verbër shtatselvi, që me atë leckën sytë e saj mban lidhur, qënka me të vërtetë qorre, me peshore të prishur, dhe shpatën e drunjtë në dorën tjetër , s’ja ka fare haberin të vendosë drejtësi, në këtë vënd që ka marrë rrugën e qoftlargut. Është qelbur peshku që nga koka dhe nuk zhbëhet më ajo që ka nisur. Kjo plagë që vazhdon të jetë e pranishme në gjirin e secilit, te kush më pak e te një tjetër më shumë është e vjetër. Ka nisur që në djep, që tek ai fëmija i sapongritur në këmbë që fillon të ecë. Daja i vet i jep dy mijë lek në këmbim të një përqafimi, dhe historia vazhdon e vazhdon. Por pse të durojmë dhe të lejojmë që kjo të ndodhë? Pse të mos ngrejmë zërin tonë dhe me të drejtë të bërtasim për “drejtësi” ? A thua vallë na ndalon kush ? Tenton dikush të bëjë dicka, të ndezë një shkëndijë, nje xixë në qiellin e nxirë. Kemi nevojë të rilindim, të gjithë. Të rilindë një shoqëri që ushqehet me frymën perëndimore. Të celë një rini aktive, që beson ne ideale te verteta, në ideale për te cilat te luftojë me zell të madh. Të luftojë me forcën e fjalës, me forcën e argumentit, me shpirtin e protestës ndaj padrejtësive. Duhet qe populli-sovran te rimarrë pushtetin e tij, të ngrejë lart dinjitetin e nëpërkëmbur deri dje. Të protestojë, jo kur ja kërkon një forcë a bindje politike, por të bucasë zëri i tij si shoqëri civile, si popull i thjeshtë që mbron interesat jetësore e legjitime. Ato të drejta që ja njeh natyra dhe Kushtetuta. Të ndjekim dhe ne një shembull të mirë “amerikanizmi”, me një shpirt protestues me te drejtë, jo për tifozllik partie politike, por për një jetë më të mirë. Kundra papunesisë, kundra korrupsionit, kundra të këqijave të tjera që mund të ndodhin, rastësisht apo jo. Të bëhemi dhe ne shoqëri e dënjë për veten tonë, pastaj të denjë sic na i dikton Europa. Ta bëjmë dhe ne më në fund të prekshme ëndrrën tonë evropiane. Ne jemi në Evropë, por duhet të jemi dhe me mentalitet, ndjesi, dhe mënyrë të menduari, europianë. Prandaj rinia duhet ta sjellë frymën e evropës. Sytë janë tek ata.


R.S


 
 
 

Comments


Recent Posts
Archive
Follow Us
  • Facebook Basic Square
  • Twitter Basic Square
  • Google+ Basic Square

NDIQLAJME

BOTUES  

Romeo Sekseni

  • Facebook Social Icon

Per cdo informacion, verejtje apo sugjerime na shkruani..

Contact

©2023 by [NDIQLAJME]. 

bottom of page